Rreth nesh

66163_741564662536996_164364301_n

Ilirjan Subashi

Vaj ulliri ‘Subashi’ është një kompani shqiptare e krijuar në vitin 2005, në Marikaj të Tiranës. Si një biznes familjar, ashtu si 90% e bizneseve agropërpunuese në vend, Subashi fillimisht u fokusua në përpunimin e vajit të ullirit. Fermerë të gjithë zonave të Tiranës, Durrësit, Krujës e më gjerë prej vitesh kanë ardhur dhe vijnë në fabrikën tonë për të përpunuar ullinjtë e tyre dhe për të prodhuar vaj ulliri ekstra të virgjër. Përveç se ofrojmë shërbim për të tretët, familja jonë Subashi ka në pronësi 1200 rrënjë ullinj, nga të cilët prodhojmë vaj ulliri shumë cilësor të destinuar për në treg. Edhe pse në sasi të pakët, vaji Subashi është mjaft cilësor, i nderuar së fundi me Vulën e Cilësisë nga Ministria e Bujqësisë.

Vendi ku prodhohet vaji ulliri Subashi quhet Mal-Subash, lagjia qendrore dhe më e vjetër e Marikajt. Banorët e parë janë vendosur pikërisht në këtë lagje ku ka jetuar dhe familja Subashi prej vitesh. Vaji i ullirit është një traditë e vjetër e kësaj zone, madje sipas më të vjetrit të familjes së Subashi që është dhe historian i zonës, ka dokumente historike qe tregojnë se në shekujt 17-18 nga kjo trevë, (Marikaj- Preze-Ndroq-Tiranë), vaji eksportohej në Republikën e Venedikut e Shën Markut. Ndërsa në kohën e perandorisë Osmane, kjo zonë furnizonte me vaj ulliri familjen e Sulltanit.

Ulliri që rritet në këtë zonë, është varieteti kalinjot, një varietet special dhe unik shqiptar, që mbart vlera të mëdha ushqimore e antikancerogjene. Vaji i ullirit thjesht shtypet në këtë fabrikë, dhe vaji ruan cilësinë dhe aromën e vetë ullirit. Mjeshtria jonë qendron në faktin se ulliri përpunohet sapo mblidhet.

E ndërsa në gjithë vendin ka prodhues të tjerë cilësorë të vajit të ullirit, e vecanta jonë qendron në diversifikimin e produkteve tona. Nuk prodhojmë thjesht vaj ulliri për konsum, që e tregtojmë në dyqanet tona me logon Subashi, por kemi eksperimentuar dhe në prodhimin e produkteve kozmetike me bazë vajin e ullirit si dhe në prodhimin e vajit me erëza, të alternuar me bimët medicinale të cilat i rrisim në kopshtin tonë, dhe që kanë vlera ushqyese dhe kurative.

Jemi krenar që jemi nderuar me një sërë çmimesh kombëtare për vaj cilësor në konkurset kombëtare për vajin e ullirit që zhvillohen cdo vit në Shqipëri. Vaji Subashi tregtohet vetëm në dyqanet e familjes Subashi.

Motoja jonë është: ‘shije dhe cilësi për tryezat e konsumatorëve tanë”.